Senyoria

Jaume Cabré
Jaume Cabré

Pritja nuk zgjati më shumë se dhjetë minuta: shenjë e mirë, ky nxitim. Ose shenjë e keqe, sepse ndoshta do të vinte goditja përfundimtare. Husari që e futi në sallën madhështore kishte një parruke si ato të qëmotit, çka tregonte qartë se Komanda lëvizte ngadalë dhe me hapa të sigurt. Ishte veshur me një livré të kaltër e të praruar që kishe qejf ta shihje. Për një çast, don Rafeli mendoi se mund të provonte ta vishte Hipolitin me një uniformë si kjo. Dyshonte, ndërkaq, nëse shërbëtori plak, për tridhjetë vjet me një uniformë të kuqerrët, mund ta merrte si fyerje një gjë të tillë. Me të kapërcyer pragun e derës, të gjitha këto mendime iu davaritën; në fund të sallës, duke këqyrur vëmendshëm nga dritarja, me duart prapa, me shpinë nga i sapoardhuri, Shkëlqesia e Tij Komandanti i Katalonisë, don Pere Karo Sureda-Valero i Masa de Lisana, priste që tjetri të kollej. Kur e bëri këtë regjenti civil, Komandanti u kthye me një shprehje të shtirur habie pse po e shihte.

- Hm, atëherë, si do të bëjmë, don Rafel?

E pamundur të prisje që don Pere Karo Sureda-Valero i Masa de Lisana ta thërriste Senjoria.

- Nën urdhrat tuaja, Shkëlqesi.

Shkëlqesia u kthye i tëri dhe eci drejt tryezës së tij gjithë duke thënë i dashur regjent, çështje nga më të rëndësishmet. Është fjala për një çështje nga ato të Sallës së Tretë. Dhe desha të dija pse kjo zallahi. Më kuptoni?

Po, Shkëlqesi.

Mirëpo nuk e kuptonte. Nuk mund ta kuptonte ngaqë Salla e Krimeve ishte kompetencë ekskluzive e Senjorisë, ndërsa Komandanti mund ta thoshte fjalën e tij vetëm në rast faljeje. Sigurisht, nëse Komandanti donte t’i kapërcente caqet e kompetencave të veta, le ta bënte pra, se jo më kot ishte Komandant. Këtë, po, Senjoria e kuptonte. Prandaj dhe pati thënë po, Shkëlqesi. Mirëpo ajo që e tmerronte ishte se ky ushtarak turimajmun donte të dinte çfarë thuhej tamam në ato letrat që u gjetën në banesën e vrasësit, dhe se kishte ardhur çasti i rrënimit.

Shumë mirë, shumë mirë, - dhe Komandanti e bëri të ulej në një karrige aq të gjerë sa i humbte aty krejt bytha. – Hm, - vijoi don Pere Karo Sureda-Valero i Masa de Lisana, - Duhet ta dini, ma do mendja, që natën e Shën Martinit unë isha te markezi Dosrius.

Po, Shkëlqesi. Edhe unë isha aty dhe ju pashë.

Shumë mirë, shumë mirë. E paharrueshme. Një mbrëmje e paharrueshme.

Po, Shkëlqesi. E paharrueshme.

Dhe bilbili i Narbonës, apo ku di unë se i kujt, ishte e paarritshme për nga ëmbëlsia, ndjeshmëria, e të tjera me radhë. Apo jo, don Rafel?

Po, Shkëlqesi.

Regjenti po vuante ngase Komandanti nuk po shkonte te thelbi dhe sytë po i shndrisnin si gjithmonë kur bluante diçka.

Mirë. Të nesërmen, ditë e martë, një i fandaksur e mbyti harabelin.

Harabelin?

Gardelinën, apo si i thonë. Bilbilin.

Po, Shkëlqesi.

Më i qetë Senjoria, mbas një parafraze të tillë ornitologjike.

Shumë mirë, shumë mirë. Ju dhe policia arrestoni menjëherë një të dyshimtë.

Po, Shkëlqesi. Hetimi filloi të premten.

Është fajtori.

Më falni, Shkëlqesi?

Thashë që është fajtori.

Po, Shkëlqesi.

A e dini ku duhej të shkonte harabeli i Marsejës që nga Barcelona?

Po, Shkëlqesi.

Ah, ju a kishin thënë?

Po, Shkëlqesi. Do shkonte në Madrid.

Shumë mirë, shumë mirë. Më saktë, në oborrin mbretëror, a më kuptoni? Do t’u jepte ndonja katër a pesë recitale Madhërive. Edhe tani po e presin.

Don Rafel Masó mbeti i vuvosur. S’kishte ç’të thoshte fare.

A e dini, i dashur regjent, - vazhdoi Komandanti, - se ajo Deflori do shkonte drejt e në Madrid? Se u ndal në Barcelonë vetëm e vetëm ngaqë ngulmoi posaçërisht konti Kreishej, kreykëshilltari i Barcelonës?

Këtë Senjoria nuk e dinte. Porse po fillonte ta kuptonte acarimin e Shkëlqesisë.

Dhe se pritja që i dha qyteti… ishte një pritje, si të them… – sajoi me duar diçka si prej reje – e përjetshme?

Shkëlqesi, më vjen keq për këtë situatë, po nuk di se si mund të rregullohet diçka që është e pandreqshme.

Thellë-thellë, Komandandin ende e sëmbonte diçka, sepse, duke dalë nga shtëpia e markezit, mbas koncertit, i kish premtuar vetes – sido që të ishte, sado që t’i kushtonte, dhe kurdoqoftë – një takim në alkovë, vetëm për vetëm mes çarçafëve, me atë harabelin me gjinj të madhërishëm. Dhe ai vrasësi i mutit e pati lënë me gisht në gojë. Dhe don Rafeli për herë të dytë po gjendej i ngatërruar në një çështje ku rrezikonte të fundosej.

E kemi një rrugëdalje, i dashur don Rafel. Një rrugëdalje, si të thuash, post mortem.

Po, Shkëlqesi?

Ja: efikasiteti i policisë, shpejtësia e drejtësisë dhe rreptësia e gjykatësve.

Shkëlqesi, ju a tashë që e kemi të dyshuarin kryesor.

Aty e kisha fjalën, don Rafel: bëjeni të pohojë, ashtu si dini vetë. Dhe të gjykohet menjëherë. Kështu, unë do të mund ta dërgoj lajmin e ekzekutimit njëkohësisht, si të thuash, me atë të vdekjes së harabelit.

Don Rafeli u mbush me frymë… Të paktën, don Pere nuk po ia zinte ngoje ato letrat e mallkuara… Dhe, për më tepër, buzëqeshte. Nëse don Pere po i buzëqeshte, kjo ndodhte sepse ia kish nevojën. Senjoria bëri një përpjekje për t’u kthyer në temë:

Me sa kuptoj, nuk do të ketë mëshirë në rast se kërkohet falja.

Shumë mirë, shumë mirë. Më ngjan se gjithçka është mëse e qartë. Dhe po ju kujtoj, don Rafel, se, për aq kohë sa të jem Komandant i Katalonisë, për aq kohë sa të jem garant i Vullnetit Mbretëror, – dhe sakaq ngriti gishtin teatralisht, krejt i përpirë nga fjalimi i vet, ndërsa me dorën tjetër kërkonte mbi kofshë mollëzën e shpatës që e kish lënë te varësja, - nuk dua asnjë lloj trazire në Barcelonë. Njerëzit si ai vrasësi që kapët, apo jo, duhet të poshtërohen e të dëbohen nga shoqëria jonë. Edhe detarin hollandez, po qe fajtor, vriteni. Drejtësia është për të gjithë, që nga peshkopët gjer te kurvat, don Rafel.

Shumë mirë, shumë mirë, Shkëlqesi.

Nga ai çast, don Rafel Masó i Puzhades, regjent civil i Gjykatës Mbretërore të Barcelonës, filloi ta urrente edhe më fort atë vrasës harabelësh që po ia bënte lëmsh qymezin.

Pritja nuk zgjati më shumë se dhjetë minuta: shenjë e mirë, ky nxitim. Ose shenjë e keqe, sepse ndoshta do të vinte goditja përfundimtare. Husari që e futi në sallën madhështore kishte një parruke si ato të qëmotit, çka tregonte qartë se Komanda lëvizte ngadalë dhe me hapa të sigurt. Ishte veshur me një livré të kaltër e të praruar që kishe qejf ta shihje. Për një çast, don Rafeli mendoi se mund të provonte ta vishte Hipolitin me një uniformë si kjo. Dyshonte, ndërkaq, nëse shërbëtori plak, për tridhjetë vjet me një uniformë të kuqerrët, mund ta merrte si fyerje një gjë të tillë. Me të kapërcyer pragun e derës, të gjitha këto mendime iu davaritën; në fund të sallës, duke këqyrur vëmendshëm nga dritarja, me duart prapa, me shpinë nga i sapoardhuri, Shkëlqesia e Tij Komandanti i Katalonisë, don Pere Karo Sureda-Valero i Masa de Lisana, priste që tjetri të kollej. Kur e bëri këtë regjenti civil, Komandanti u kthye me një shprehje të shtirur habie pse po e shihte.

- Hm, atëherë, si do të bëjmë, don Rafel?

E pamundur të prisje që don Pere Karo Sureda-Valero i Masa de Lisana ta thërriste Senjoria.

- Nën urdhrat tuaja, Shkëlqesi.

Shkëlqesia u kthye i tëri dhe eci drejt tryezës së tij gjithë duke thënë i dashur regjent, çështje nga më të rëndësishmet. Është fjala për një çështje nga ato të Sallës së Tretë. Dhe desha të dija pse kjo zallahi. Më kuptoni?

- Po, Shkëlqesi.

Mirëpo nuk e kuptonte. Nuk mund ta kuptonte ngaqë Salla e Krimeve ishte kompetencë ekskluzive e Senjorisë, ndërsa Komandanti mund ta thoshte fjalën e tij vetëm në rast faljeje. Sigurisht, nëse Komandanti donte t’i kapërcente caqet e kompetencave të veta, le ta bënte pra, se jo më kot ishte Komandant. Këtë, po, Senjoria e kuptonte. Prandaj dhe pati thënë po, Shkëlqesi. Mirëpo ajo që e tmerronte ishte se ky ushtarak turimajmun donte të dinte çfarë thuhej tamam në ato letrat që u gjetën në banesën e vrasësit, dhe se kishte ardhur çasti i rrënimit.

Përkthim i pabotuar i romanit: Xhaume Kabré, Senjoria (1991).

Traduït per Bashkim Shehu

Bashkim  Shehu
Bashkim Shehu